Lajme

Maqedonci: Nënshkrimi i marrëveshjes me SHBA-në e garanton forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes

Më 13 qershor, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara pritet të firmosin dokumentin kornizë që garanton bashkëpunim më të gjerë mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes.

Kjo marrëveshje pritet të ketë rëndësi të veçantë për mbrojtjen e territorit dhe për përforcimin e raporteve mes dy vendeve, ka thënë ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje mes Departamentit amerikan të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës e paralajmëroi një ditë më parë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Maqedonci tha se nëpërmjet dokumentit, që e mbulon periudhën prej vitit 2025 deri më 2030, synohet të krijohet bashkëpunim afatgjatë me Shtetet e Bashkuara.

“Përmes kësaj marrëveshjeje do të specifikohen edhe më tej fushat e bashkëpunimit me qëllim arritjen e objektivave të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, rritjen e ndërveprueshmërisë në mes forcave tona, bashkëpunimin në fushën e Industrisë së mbrojtjes dhe kontributin e përbashkët të vendeve tona për paqen dhe sigurinë regjionale dhe globale”, ka deklaruar ai.

Ai tha se të këtilla marrëveshje e memorandume bashkëpunimi ushtarak nuk kanë për qëllim kërcënimin e ndonjë vendi, porse zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e bashkëpunimeve që kontribuojnë në përafrimin e Kosovës me NATO-n.

Maqedonci sqaroi se marrëveshja është pjesë e një procesi të nisur më herët, që ka marrë miratim në parim nga Qeveria, e që është përditësuar më pas.

Qeveria i pati dhënë miratim në mars marrëveshjes, me të cilën Kosova e SHBA-ja angazhohen në avancimin e bashkëpunimit në fushat e planifikimit të mbrojtjes, qëndrueshmërisë strategjike dhe ngritjes së kapaciteteve strategjike ushtarake.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button