Memli Krasniqi: Propozimin e LDK-së e diskutojmë nesër në Kryesi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se nesër do ta diskutojnë propozimine LDK-së.
Për këtë ai bëri të ditur se do mbahet takim i kryesisë së partisë.
”Qëndrimet tona lidhur me situatën e krijuar janë të qarta dhe konsistente. Ne kemi theksuar vazhdimisht se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike dhe se bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë.
Sa i përket propozimit të LDK-së, jam i informuar tashmë. Gjithsesi, vendimet e rëndësishme ne i marrim në organet e partisë, andaj nesër, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm”, ka treguar ai.
Sot në një konferencë për media, kryetari i LDK’së Lumir Abdixhiku tha se ka marrë iniciativën që të propozojë një Qeveri Nacionale të Tranzicionit ku kryeministri dhe kabineti do të jenë unifikues. Mandati i kësaj qeverie sipas Abdixhikut do të jetë deri në zgjedhjen e presidentit vitin e ardhshëm.
Ai tha se pozitivisht këtij propozimi i është përgjigjur Ramush Haradinaj i AAK-së.