Botë

Microsoft largon rreth 6 mijë punëtorë nga puna

Kompania gjigante e teknologjisë Microsoft ka konfirmuar se ka filluar një raund të ri pushimesh nga puna, duke prekur rreth 3 për qind të fuqisë punëtore globale. Kjo përkthehet në rreth 6 mijë punonjës që do të humbin vendin e punës.

Në një deklaratë për CNBC, një zëdhënës i kompanisë ka thënë se “ne vazhdojmë të zbatojmë ndryshime organizative të nevojshme për ta pozicionuar më së miri kompaninë për sukses në një treg dinamik”.

Këto lëvizje vijnë vetëm pak muaj pasi Microsoft raportoi një tremujor të suksesshëm me 25.8 miliardë dollarë të ardhura neto dhe një parashikim optimist në fund të prillit. Deri në fund të qershorit, kompania kishte 228 mijë punonjës globalisht.

Vetëm në shtetin e Uashingtonit, ku ndodhet selia e Microsoft në Redmond, autoritetet kanë konfirmuar se 1 mijë e 985 persona janë prekur nga këto shkurtime, përfshirë 1 mijë e 510 të punësuar në zyrë.

Kjo valë konsiderohet më e madhja që nga viti 2023, kur Microsoft largoi rreth 10 mijë punonjës. Ndryshe nga janari i këtij viti, kur disa pushime nga puna ishin të lidhura me performancën, kësaj here zëdhënësi ka theksuar se “këto shkurtime të reja vendesh pune nuk lidhen me performancën”. Sipas tij, një nga objektivat është “të zvogëlohen shtresat e menaxhimit”.

Microsoft nuk është e vetmja kompani që po bën prerje. Amazon po ashtu largoi staf pas vlerësimit të shtresave të panevojshme në organizatë, ndërsa CrowdStrike njoftoi javën e kaluar pushimin nga puna të 5 për qind të stafit.

CEO i Microsoft, Satya Nadella, kishte paralajmëruar në janar se do të kishte ndryshime në mënyrën e ekzekutimit të shitjeve, veçanërisht pas ngadalësimit në të ardhurat nga Azure. Megjithatë, performanca e lidhur me cloud-in e inteligjencës artificiale ka tejkaluar parashikimet e brendshme.

Aksionet e Microsoft kanë shënuar rritje, duke arritur çmimin më të lartë për këtë vit me 449.26 dollarë për aksion, ndërsa rekordi i kaluar ishte 467.56 dollarë në korrikun e vitit të kaluar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button