Mineralet e rralla si “kartë” për pavarësi – Dodik kërkon njohjen e pavarësisë së Republikës Sërpskas

Presidenti i entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik, ka shpërthyer sërish me deklarata të forta politike, duke kërkuar njohjen e pavarësisë së Republika Sërpskas në këmbim të resurseve natyrore që, sipas tij, ky entitet i zotëron në sasi të mëdha.
Në një fjalim para ligjvënësve të Asamblesë Kombëtare të Republika Sërpskas, me rastin e 30-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Daytonit, Dodik deklaroi:“Na jepni lirinë, konfirmoni sovranitetin tashmë ekzistues, na garantoni Marrëveshjen e Daytonit, pavarësinë tonë politike dhe pavarësinë e Republika Sërpskas, dhe ne do të jemi partnerët e juaj në biznes.”
Ai shtoi se është e konfirmuar përmes hulumtimeve gjeologjike se territori i këtij entiteti përmban minerale të rralla si litiumi, bori, stronciumi, natriumi dhe kaliumi.
Dodik, që prej kohësh kërkon ndarje nga Bosnja, këtë herë po luan me kartën ekonomike dhe strategjike, duke e ofruar “shkëmbimin” me aktorë të mëdhenj ndërkombëtarë si SHBA-ja, BE-ja, Kina dhe Rusia.
“Na ofroni një kornizë që e respekton strukturën e Daytonit, kompetencat kushtetuese të entiteve.”
Por, kjo kërkesë vjen në një moment të tensionuar për liderin serb. Në muajin shkurt ai është dënuar me një vit burgim dhe ndalim të mbajtjes së pozitave politike për gjashtë vjet, për shkelje të rendit kushtetues dhe kundërshtim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje.
Gjykata boshnjake kishte kërkuar edhe ndërhyrjen e INTERPOL-it për një urdhërarrest ndërkombëtar, por kjo kërkesë ishte refuzuar.