Molliqaj: Propozimi i Abdixhikut nuk është rrugë përpara, është mungesë e gatishmërisë për të marrë përgjegjësi

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas refuzimit që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i bëri ftesës së kryeministrit Albin Kurti për koalicion, duke propozuar në vend të saj një Qeveri Tranzicionale. Në një postim në Facebook, Molliqaj e cilësoi refuzimin si të drejtë vetën në “kuadrin e një rruge plot mjegull e abstenim.”
Molliqaj kritikoi propozimin për një qeveri tranzicionale, duke e quajtur një zgjidhje të pamundur dhe kontradiktore. Sipas tij, është pamundshme të besohet se një lider autoritar do ta dorëzonte pushtetin përmes konsultimeve..
“LDK po e propozon një Qeveri Nacionale të Tranzicionit. Sipas tyre, pas takimeve e konsultimeve të partive shqiptare dhe atyre nga komunitetet joshumicë, rruga përpara është thjesht pajtimi për një ekzekutiv pa Albin Kurtin. Nëse i marrim vlerësimet e Abdixhikut për punën katër vjeçare të Kurtit, dhe i vendosim ato përballë “zgjidhjes” së ofruar, do të shihnim së paku një kontradiktë logjike.
Dikush që e sulmon demokracinë, që cënon fjalën e lirë, që kapë insitucionet e pavarura nuk ta dorëzon pushtetin përmes konsultimeve. Cili autokrat e ka dorëzuar pushtetin në tavolinë? Asnjë deri sot.
Abdixhiku nuk ka iluzione. Ky propozim nuk është rruga përpara. Çfarë shohim në formë propozimi, në fakt është një mungesë: mungesa e gatishmërisë për të marrë përgjegjësi. Quhet shumicë parlamentare e opozitës së kaluar që e krijon Qeverinë e re,” tha Molliqaj mes tjerash.