Mustafi reagon pasi Serbia tha se shqiptarët në Luginë s’po duan të aplikojnë në Polici

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka reaguar ashpër ndaj një pretendimi të bërë së fundmi në Serbi, sipas të cilit “asnjë shqiptar nuk ka shprehur interesim për t’iu bashkuar Policisë së Serbisë”.
Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Mustafi e cilëson këtë deklaratë si “një manipulim klasik i të vërtetës”. Ai thotë se në çdo konkurs të shpallur, shqiptarët kanë aplikuar në numër të konsiderueshëm, por asnjë prej tyre nuk është pranuar – madje as ata që i kanë plotësuar të gjitha kriteret bazë.
“Që nga viti 2008, nuk është pranuar asnjë shqiptar nga Presheva, Bujanoci apo Medvegja në Akademinë Policore të Serbisë”, thekson ai.
Sipas Mustafit, diskriminimi është i thellë dhe i qëllimshëm, ndërsa rasti i fundit, konkursi i majit 2025, është “dëshmia më e qartë”: nga 43 të pranuar, asnjë nuk ishte shqiptar.
“Ky është diskriminim institucional dhe jo mungesë interesi, është mendësi koloniale dhe jo mungesë aplikimi”, deklaron Mustafi.
Ai shton se shumë të rinj shqiptarë janë dekurajuar nga padrejtësitë në procedurat e përzgjedhjes, përfshirë eliminime politike dhe trajtim diskriminues gjatë fazave të testimit dhe intervistimit – veçanërisht ndaj atyre që kanë pasur të afërt ish-pjesëtarë të UÇPMB-së.
“Ka raste të dokumentuara kur kandidatët shqiptarë nuk janë ftuar fare në fazën përfundimtare, edhe pse kanë kaluar me sukses testet paraprake”, thotë Mustafi.
Duke e krahasuar situatën me atë në Kosovë, ai thotë se Republika e Kosovës është “shembull i normimit dhe hapësirës së rezervuar të pjesëmarrjes institucionale të pakicave, e posaçërisht asaj serbe”, duke e cilësuar Kosovën si “kampion të sigurimit të kornizës ligjore jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropë”.
Për Mustafin, çështja nuk ka të bëjë me mungesën e interesimit nga shqiptarët, por me mungesën e vullnetit institucional për t’i përfshirë ata. “Jo – shqiptarët nuk mungojnë në polici sepse nuk duan, por sepse nuk lejohen”, përfundon ai.