Lajme

“Ndëshkim politik”- reagojnë OVL-UÇK pas paralajmërimit të mbrojtjes se Jakup Krasniqit

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ashpër pas paralajmërimeve të fundit të bëra publike nga ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit, duke i cilësuar ato si një sinjal të rëndë dhe alarmues për drejtësinë dhe vetë shtetin e Kosovës.

Sipas kësaj organizate, deklaratat e ekipit mbrojtës që paralajmërojnë përgatitjen e dënimeve të tjera nga Prokuroria në Hagë kundër krerëve të UÇK-së, forcojnë bindjen se procesi gjyqësor ndaj tyre nuk ka si qëllim zbardhjen e së vërtetës, por ndëshkimin politik të figurave udhëheqëse të luftës çlirimtare.

“Janë bërë katër vjet e gjysmë që nga momenti kur krerët dhe pjesëtarët e UÇK-së po mbahen në paraburgim në Hagë, në rrethana që çdo ditë më shumë dëshmojnë karakterin e padrejtë dhe të njëanshëm të këtij procesi”, thuhet në reagimin e OVL-së.

Duke përmendur dënimet ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës si shembuj të vendimeve të padrejta, organizata thotë se këto procese janë bërë në emër të drejtësisë, por në fakt synojnë të godasin legjitimitetin e luftës çlirimtare dhe të dëmtojnë shtetësinë e Kosovës.

“Luftëtarët e lirisë që sot ndodhen pas grilave janë burra që kontribuuan në çlirimin e vendit dhe themelimin e shtetit të Kosovës. Në vend që të nderohen, ata po përballen me një proces që më shumë ngjan me ndëshkim politik sesa me drejtësi ndërkombëtare”, vijon reagimi.

OVL e UÇK-së thekson se Gjykata në Hagë nuk ka për qëllim vetëm ndjekjen e individëve të caktuar, por, sipas saj, po tenton të minojë legjitimitetin e UÇK-së dhe përmes saj edhe vetë shtetësinë e Kosovës.

Në përfundim, organizata u bën thirrje institucioneve që të mos heshtin përballë zhvillimeve në këtë proces dhe të ndërmarrin hapa të qarta për të mbrojtur të vërtetën e luftës çlirimtare dhe për të kërkuar drejtësi reale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button