Nis modernizimi i njësisë B2 – pritet investim prej 56.5 milionë euro nga KEK-u

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar sot Termocentralin “Kosova B”, me rastin e fillimit të punimeve për modernizimin e njësisë B2 – një investim ky i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në vlerë prej 56.5 milionë euro.
Delegacioni qeveritar është pritur nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Gramos Hashani, i cili ka prezantuar për së afërmi detajet e projektit që për herë të parë sjell modernizim të thelluar në njësitë ekzistuese të termocentralit.
Sipas KEK-ut, ky rehabilitim do të sjellë rritje të kapacitetit prodhues me mbi 600 GWh në vit, një operim më efikas dhe më të sigurt të njësive të TC “Kosova B”, si dhe do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesave mjedisore sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
“Unë ju përgëzoj shumë për këtë modernizim të turbinave në Termocentralin Kosova B, edhe të njësisë B1 edhe B2, të cilat janë të sekuencura në kohë, në mënyrë që ta kemi maksimumin e prodhimtarisë, po në të njëjtën kohë ta shtojmë edhe prodhimtarinë edhe sigurinë, edhe efikasitetin, e ta ulim ndotjen”, deklaroi kryeministri Kurti gjatë vizitës.
Ai gjithashtu uroi menaxhmentin dhe punëtorët e KEK-ut, duke theksuar rëndësinë e faktit që investimi po realizohet nga vetë KEK-u, prej të cilit do të kemi shtesë prodhimtari të energjisë prej 600 GWh, gjë që përbën lajm të mirë për qytetarët, industrinë dhe ekonominë tonë.
Nga ana tjetër, ministrja Rizvanolli theksoi se ky projekt do të ketë ndikim afatgjatë në sigurinë energjetike të vendit dhe në mbrojtjen e mjedisit.
“Kur të përfundojnë të gjitha punimet për rehabilitimin e Termocentralit ‘Kosovës B’, jetëgjatësia e tij do të shtohet edhe për 20 vjet, ndotja nga pluhuri dhe oksidet e azotit do të ulën për 60%, kurse remontet kapitale do të nevojiten që të bëhen një herë në 10 vjet, në vend se çdo pesë vjet”, deklaroi Rizvanolli.
“Kjo do të thotë se siguria e furnizimit do të përmirësohet dukshëm për 20 vjet e ardhshëm, importi do të ulët për së paku 23 milionë euro ndërkaq eksporti do të rritet për së paku 20 milionë në vit”, shtoi ajo.