OVL e UÇK-së kundër lirimit të Enver Sekiraqës: Dyshohet se ka dëshmuar në Hagë, akt i rëndë e i qëllimshëm

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes një komunikate për media kanë shprehur shqetësimin lidhur me rastin e Enver Sekiraqës, lirimi i të cilit u bë përmes vendimit të gjyqtarit Agim Kuçi.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën publike lidhur me veprimet e papërgjegjshme të gjyqtarit Agim Kuçi, i cili mori vendim të njëanshëm për lirimin nga masa e arrestit shtëpiak të Enver Sekiraqës, person i dënuar për nxitje të vrasjes së heroit të policisë, Triumf Riza, dhe me histori të përsëritur të veprave kriminale”.
Në reagimin e bërë publik të enjten, OVL e UÇK-së e cilëson këtë vendim si të njëanshëm, të papërgjegjshëm dhe me pasoja të rënda për drejtësinë dhe sigurinë kombëtare. Ata ngrenë shqetësime serioze se ky vendim mund të ketë lehtësuar ikjen e Sekiraqës jashtë Kosovës dhe aludojnë se i njëjti mund të ketë përfituar nga lirimi për të dëshmuar në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastet që zhvillohen kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Vendimi i gjyqtarit Kuçi jo vetëm që bie ndesh me parimet e drejtësisë dhe sigurisë publike, por ka ngritur dyshime serioze se me këtë veprim është lehtësuar ikja e Sekiraqës jashtë Kosovës. Sipas raportimeve të shumta mediatike, ekziston dyshimi se ky individ ka përfituar nga ky vendim i paprecedent për të dhënë dëshmi në Gjykatën Speciale në Hagë, në procese që zhvillohen kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,bashkëluftëtarëve tanë. Ky është një akt i rëndë dhe i qëllimshëm që mund të interpretohet si pjesë e një skenari të mirëkoordinuar kundër luftës sonë çlirimtare dhe vlerave që ajo përfaqëson,” thuhet në reagim.
Veteranët theksojnë se Sekiraqa ka histori të përsëritur të veprave kriminale dhe më parë ka shkelur masat e arrestit, ndaj vendimi për lirimin e tij është “cenim i drejtësisë”.
OVL e UÇK-së kërkon hetim të menjëhershëm ndaj gjyqtarit Kuçi dhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë në vendimmarrje. Ata gjithashtu i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të sqarojnë nëse Enver Sekiraqa ka dhënë dëshmi në Hagë dhe çfarë ndikimi kanë pasur ato në proceset kundër bashkëluftëtarëve të UÇK-së.
“Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pastër dhe mbështetur në vullnetin e popullit. Nuk do të lejojmë që ajo të njolloset përmes manovrave të tilla të ulëta që dëmtojnë besimin në drejtësi,” thuhet në fund të reagimit.