Lajme

Pamjet e kamerave që tregojnë lëvizjet e të dyshuarve për vrasjen e policit: Lika u takua përballë me Haki Belën

Dosja për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve për vrasjen e policit Muhamed Lika, ka zbardhur detaje të reja për ngjarjen.

Në kërkesën e Prokurorisë të cilën e ka kërkuar Nacionale, thuhet se polici Lika pasi kishte përfunduar orarin e punës, ishte nisur drejt banesës së tij. Aty kishte shkuar edhe i dyshuari Haki Bela, me të cilin ishte kaluar përballë.

Të gjitha këto, sipas Prokurorisë, dëshmohen me pamjet e kamerave të cilat prokurori i ka në posedim.

“Reshter Muhamet Lika me detyrë në stacionin policor në Kaçanik, pas përfundimit të orarit rrugës për banesën e tij ka lëvizur drejt vendbanimit të tij, ndërsa i pandehuri Haki Bela pasi kishte qëndruar në lokalin e tij “Aksa”, prej aty niset për në drejtim të stacionit, ku në ora 22:25 përballë kalohet me viktimën Muhamet Lika, e pastaj viktima vazhdon në drejtim të banesës. I pandehuri Haki vazhdon në drejtim të rrugës UÇK për 20 metra, dhe më pas pas 30 sekondave kthehet në drejtim të viktimës”, thuhet në hyrje të kërkesës.

Dy të dyshuarit e tjerë, Shkëlqim Kuka dhe Edmond Lika kanë qenë duke e përcjellur viktimën me një veturë Astra. Më pas, njëri prej të dyshuarve, del dhe vazhdon lëvizjen me një tjetër veturë, të tipit Golf 2.

“Në vazhdim të pandehurit Shkëlqim Kuka dhe Edmond Lika vëzhgojnë rrugëtimin e viktimës, ku nga vetura Astra e bardhë, me vozitës Shkëlqim Kuka dhe pasagjer Edmond Lika, me të kaluar viktima përreth veturës në drejtim të banesës së tij, nga vetura del Edmond Lika dhe hip në veturën Golf 2 me ngjyrë të kaltër duke vozitur të njëjtën me drita të fikura dhe duke vazhduar në rrugën njëdrejtimshe duke e përcjellë viktimën në drejtim kah ka lëvizur”, thuhet më tutje.

Sipas pamjeve të kamerave, i mituri Rejhan Bela, e përcjelltë gjithë rrugës policin Lika, dhe kishte hyrë pas tij në objektin banesor ku jetonte polici.

“Ndërsa vetura Astra merr veprimin dhe vazhdon duke shkuar afër vendit të ngjarjes, viktima vazhdon rrugëtimin në rrugën “Idriz Seferi” afër banesës së tij ku i mituri Rejhan Bela nga pamjet e kamerave të sigurisë, në ora 22:57 vazhdon duke e përcjellë viktimën duke ecur 15-20 metra mbrapa viktimës. I cili hyn në hyrjen e banesës dhe menjëherë pas viktimës i mituri Rejhan Bela hynë në hyrjen e objektit. Në ora 22:57:30 janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19mm dhe nga plagët e marra viktima Muhamet Lika vdes në Qendrën e Mjekësisë Fmiljare”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Gjithashtu sipas pamjeve, pasi e kreu aktin, Rejhan Bela u pa teksa vraponte prapa kah kishte ardhur.

“Pastaj rreth orës 22:58 nga kamerat e sigurisë vërehet i mituri duke u kthyer me vrap mbrapa nga kishte ardhur pas kryerjes së vrasjes duke ikur në drejtim të lokalit Dukagjini ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi””, thuhet më tutje.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari Diamant, e kishte strehuar të miturin. Kurse, në vendin e vrasjes pas pak minutave, kishte shkuar Haki Bela.

“Paraprakisht në pamjet e kamerave vërehet se i mituri Rejhan Bela me të pandehurit Rilind Murati dhe Vatan Çaka dhe të pandehurve të tjerë, ndërsa pas vrasjes i pandehuri Dimant ka ndihmuar të miturin Rejhan të largohet nga vendi i ngjarjes. Kurse i pandehuri Haki Bela rreth 14 minuta mbrapa vrasjes vjen në vendin e ngjarjes, ndërsa pas 2 minutave largohet”, thuhet në kërkesë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button