Për 7 ditë policia në Prishtinë realizoi 216 urdhëresa të gjykatës

Nga zyrtarët policor të rajonit Prishtinës , gjatë javës që lamë pas në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara, janë realizuar 216 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 84 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime e të tjera.
Në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi sipas policisë, të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa, transmeton Klankosova.tv.
Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë.
Kësisoj në harkun e njëjtë kohor janë sekuestruar tri armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.
Në po të njëjtën periudhë kohore, policia shqiptuar 4108 masa administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 659 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil.