Lajme

Përplasje mes deputetëve: Bajrami i kundërpërgjigjet Muratit – I duhet ende kohë për të kuptuar ligjshmërinë

Një përplasje verbale për interpretimin e Kushtetutës ka ndodhur mes deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati.

Ishte fillimisht deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i cili pas dështimeve të njëpasnjëshme të partisë së tij për të zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të Kuvendit, ka publikuar një pjesë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe mënyrën e votimit.

“Në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”, është pjesa që ka ndarë Murati në rrjetet sociale

Frazë kjo me të cilën edhe kryesuesi i seancës, Avni Dehari, një ditë më parë u shpreh në linjë të njëjtë me Muratin, duke thënë se: “Aktgjykimi i Kushtetueses ju obligon deputetët të votojnë”.

Por kësaj deklarate iu ka përgjigjur Bajrami, e cila ia ka kthyer duke thënë se Muratit “i duhet ende kohë për të kuptuar bazat e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”.

Deputetja e LDK-së e ka përforcuar qëndrimin e saj duke bashkëngjitur edhe një nen të Kushtetutës, në të cilin thuhet: “Deputeti nuk i nënshtrohet asnjë mandati detyrues kur voton”.

Postimi i saj plotë:

Deputetit Murati, që sot flet për përgjegjësi kushtetuese, i duhet ende kohë për të kuptuar bazat e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë që rregullojnë punën e Kuvendit.

Deputeti Murati, që shkel Kushtetutën duke mbajtur post ministri, në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve, neni 72 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duhet ta dijë se deputeti nuk i nënshtrohet asnjë mandati detyrues kur voton apo jo. Kështu e thotë Kushtetuta, neni 70, pika 1.

Këtë reagim e bëj për qytetarët e Republikës sepse është fyerje e inteligjencës e humbje kohe të diskutosh e debatosh për kushtetutshmëri me ata që kanë shkelur Kushtetutën me numra dyshifror, me ata që janë duke shkelur Kushtetutën teksa flasin e shkruajnë statusa duke mbajtur pozita ekzekutive e legjislative në të njëjtën kohë, me ata që shkelin Kushtetutën duke ua mohuar të drejtat mbi 90 mijë shërbyesve civilë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button