Policia e Kosovës i merr seriozisht kërcënimet ndaj Agon Fehmiut dhe Ulpiana Emrës

Seria finale e Procredit Superligës në Basketboll ku po ndeshen Bashkimi dhe Trepça ka kaluar rivalitetin sportiv dhe ka eskaluar në ofendime dhe kërcënime, madje edhe të komentatorëve të ndeshjeve.
Kufiri është kaluar dhe mesazhet me sharje, ofendime dhe kërcënime të rënda përmes rrjeteve sociale personale të komentatorëve Agon Fehmiu dhe Ulpiana Emra, si dhe ueb faqen AsistiOnline prandaj sot, këto raste sot janë raportuar pranë Policisë së Kosovës dhe është hapur rasti për kërcënim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës.
Serioziteti me të cilin Policia e Kosovës dhe Prokuroria i është qasur rastit ka befasuar.
Përkundër se, qëllimi i raportimit ka qenë vetëm evidentimi dhe paraqitja e kërcënime si preventivë, organet tona të ligjit dhe sigurisë i kanë marr shumë seriozisht mesazhet ofenduese dhe kërcënuese duke hapur rastin ndaj atyre që i kanë kryer këto kërcënime dhe janë duke ndërmarr të gjitha masat e nevojshme ndaj keqbërësve.
Pse po ndodh kjo?
Çmenduria e “tifozëve” (lexo: huliganvëe) në serinë finale sivjet ka eskaluar tej mase.
Rivaliteti sportiv është shndërruar në një frustrim abnormal dhe reagimet pas humbjeve të skuadrave (të dyja ekipeve pa dallim) në shënjestër kanë marr edhe komentatorët e ndeshjeve të cilët , varësisht nga rezultati, po ngjyrosen me ngjyra të klubeve: kur humb Bashkimi, komentatorët janë tifozë të Trepçës dhe kur humb Trepça, komentatorët janë tifozë të Bashkimit.
Çmenduri! Thuajse komentatorët japin kosha dhe ndikojnë në rezultat!?
Sharjet dhe ofendimet prej më të ndyrave të drejtuara ndaj komentatorëve nëpër palestra janë të gërditshme dhe turpshme , për më tepër hedhjet e gjësendeve dhe përfundimisht, tentimet për të goditur fizikisht komentatorët janë çmenduri e cila ka tejkaluar çdo kufi.
Para ndeshjes së pestë finale të dielën e 18 Majit në Sezai Surroi në Prizren, Artmotion i është drejtuar zyrtarisht FBK-së që të ndërrmar masa për sigurimin e kushteve normale të punës për ekipin transmetues, gjegjësisht për komentatorët duke kërkuar vendosjen e mburojës së pleksiglasit dhe qëndrimin e një pjesëtari të Policisë së Kosovës, gjatë tërë kohës.
Për këtë kërkesë kanë qenë dy arsye:
E para, të dielën e 11 Majit, në finalen e tretë të zhvilluar në Prizren, gjatë hedhjës së gjësendeve në parket me rastin e suspendimit të qendrës Michael Myers, komentatori Agon Fehmiu është goditur në shpine nga një shishe gjysmë e mbushur me ujë. Fehmiu ka deklaruar se “Nuk kam reaguar pasi me këso incidente kam përvojë, goditja nuk ka qene shume e fortë dhe fatmirësisht ka qenë në shpine dhe jo kokë andaj duke mos dashur të bëjë shumë zhurmë e kam heshtur”.
Së dyti, te mërkurën e 14 Majit në finalen e katërt të zhvilluar në Minatori, në Mitrovicë, pas përfundimit të ndeshjes, në momentin kur Ulpiana Emra është ngritur nga pozita e komentatores për të shkuar dhe realizuar intervistat, një shikues është zgjatur nga tribunat dhe e ka goditur pleksiglasin e me këtë rast e ka goditur edhe Ulpianën. Fatmirësisht, ishte mburoja e pleksiglasit dhe ajo e ka amortizuar goditjen.
Duke e parë se publiku në të dyja palestrat është agravuar dhe bërë me agresiv se zakonisht dhe se kjo tashme i ka kaluar suazat e normales dhe po e pamundëson punën normale duke e rrezikuar edhe shëndetin e komentatorëve, transmetuesi ka kërkuar nga KB Bashkimi shtimin e masave të sigurisë për ndeshjen në Prizren, duke vendosur mburojën e pleksiglasit e cila ka munguar atje dhe shtimin e prezencës së pjesëtarëve të rendit e sigurisë.
Me këtë rast, duhet falënderuar kryesinë e KB Bashkimit dhe FBK për qasjen maksimalisht serioze dhe ndërmarrjen e masave të duhura që çdo gjë të kaloj në rregull.
Ndërkohë, pas humbjes së Trepçës, të nxitur nga komentet fyese dhe ofenduese, qoftë të individëve apo edhe faqeve të caktuara, kryesisht në Facebook, si dhe anëtarëve të grupeve/faqeve në FB të cilët vazhdimisht gjatë këtij edicioni kanë nxitur urrejtje dhe komente negative ndaj dyshes së komentatorëve Fehmiu/Emra mirëpo së fundmi, situata ka eskaluar shumë dhe mesazhet ofenduese, sharjet dhe porositë kërcënuese kanë kaluar çdo kufi.
Porositë kanë qenë në llogari personale dhe të ueb faqes AsistiOnline (AO), si dhe në formë të komenteve publike në AO. Disa prej profileve kanë qenë origjinale kurse disa kanë qenë “fake”( të rrejshme). Sidoqoftë, me këtë do të merren organet kompetente.
Gjithashtu, ka pasur shkrime dhe postime tendencioze në faqe të caktuara në Facebook (të njohura dhe të evidentuara) që kanë nxitur urrejtje ndaj dyshes së komentatorëve Fehmiu/Emra duke rezultuar me komente dhe mesazhe që nxisin urrejtje dhe mesazhe kërcënuese
Me këtë rast, gjitha këto mesazhe fyese dhe kërcënuese janë raportuar në Policinë e Kosovës dhe Prokuroria e ka hapur rastin duke ndërmarr masat tjera të parapara me ligj, kundër keqbërësve, madje
Turp!
Ofendimet , sharjet dhe kërcënimet ndaj Agon Fehmiut, si ikonë e gazetarisë sportive kosovare dhe në veçanti të basketbollit ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme, janë alarmuese, të papranueshme dhe të turpshme.
Njeriu i cili pas luftës ka qenë alfa e omega e promovimit të basketbollit kosovar, duke sjell frymë të re dhe standarde në gazetarinë sportive kosovare, duke i thyer klishet e gazetarisë sportive dhe duke kontribuar në “shpërthimin” e basketbollit si sporti më i shikuar në Kosovë, Agon Fehmiu, të shahet, ofendohet dhe kërcënohet, është SKANDAL dhe TURP.
Për më tepër, kur kemi parasysh figurën dhe personalitetin e Agon Fehmiut, punën të cilën e ka bërë për basketbollin, sportin dhe Kosovës në përgjithësi, si dhe familjet nga të cilat rrjedh (nga ana e babës dhe nënës) që kanë kontribuar shumë për kombin dhe të dyja shtetet tona, veprimet e fundit primitive të huliganëve kanë kaluar çdo kufi dhe me to do të merren organet e rendit dhe ligjit.
Shtoja kësaj, fyerjet dhe ofendimet që i bëhen komentatores/gazetares/moderatorës së parë dhe të vetme femër në basketbollin kosovar ndonjëherë , një ish basketbolliste e cila ka kontribuar për basketbollin femëror të vendit tonë dhe një ish reprezentuese e Kosovës, është turp dhe e gërditshme.
Shpresojmë që përveç organeve të rendit dhe ligjit, me këtë trend të nxitjes së urrejtjes nëpër rrjete sociale nga ana e individëve dhe faqeve të caktuara që pretendojnë se janë mediume , do të merren edhe monitoruesit e mediave dhe garidanët e lirisë së shprehjes dhe mediave, që janë roje kujdestare, në çdo kohë.
Gjithashtu, një hap pritet të ndërmarr edhe AGK si institucion.