Politologu serb: Osmani nuk duhej t’i bënte publike vërejtjet e saj për draft-statutin e Asociacionit

Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se draft-statuti i BE-së për formimin e Asociacionit, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Megjithatë, ai thekson se deklaratat e presidentes Osmani mund të shihen nga dy këndvështrime: se ajo e refuzon draft-statutin, ose “i thekson me kohë problemet që mund të lindin”.
“Mbase këtu është e kontestueshme përse ajo doli publikisht. Ndoshta do të duhej t’u drejtohej atyre [BE-së], marrë parasysh se draft-statuti nuk është publikuar asnjëherë zyrtarisht. Por, nëse versioni që kemi parë në media është i saktë, unë ndaj vlerësimin e saj se nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe se është befasi që ka ardhur nga BE-ja”, thotë Gogiq.
Draft-statuti i përgatitur nga BE-ja, e specifikon se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të kërcënojë pavarësinë dhe integritetin e Kosovës.
Theksohet, gjithashtu, se dokumenti do t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Ky draft-statut, mes tjerash, parasheh qartë mundësinë e mbështetjes financiare të Asociacionit nga Serbia dhe “një kanal efikas të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës, përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal”.
Pjesa e statutit që u referohet kompetencave të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, saktëson se ky organ ka të drejtë të marrë vendime, të miratojë rregullore, udhëzime dhe deklarata.
Ai, po ashtu, do të kishte autoritet të plotë në nivel lokal në fushat e zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes së identitetit kulturor dhe fetar.
Asociacioni parashihet të ketë të drejtë të iniciojë ose të jetë palë edhe në proceset në gjykata, përfshirë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nëse vendimet ose veprimet e ndonjë institucioni ndikojnë në ushtrimin e kompetencave të tij në përputhje me statutin.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 21 mars se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga Bashkimi Evropian, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.