Presidentja Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin e BE-së në Tiranë

Të premten, më 16 maj, Tirana do të jetë mikpritëse e Takimit të Gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (KPE), ku do të mblidhen udhëheqës nga 47 shtete të kontinentit për të diskutuar mbi sfidat dhe të ardhmen e përbashkët të Evropës.
Në qendër të samitit do të jenë tema kyçe si siguria, qëndrueshmëria demokratike, konkurrueshmëria ekonomike dhe fuqizimi i të rinjve.
Diskutimet do të nisin me një seancë plenare kushtuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për Evropën, ndërsa më pas do të organizohen tri tryeza të rrumbullakëta në nivel të lartë, me fokus në: Luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe ndikimin në sigurinë evropiane, forcimin e konkurrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike, lëvizshmërinë, sfidat sociale dhe fuqizimin e brezit të ri
Kosova do të përfaqësohet në këtë samit nga Presidentja Vjosa Osmani. Lajmin e ka konfirmuar këshilltari për media në presidencë, Bekim Kupina.
“Sikurse në samitet paraprake, Presidentja Osmani e përfaqëson Kosovën në samitin e radhës së EPC-së, që mbahet të premten në Tiranë”, ka deklaruar Kupina.
Samiti do të bashkëkryesohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Tema e takimit që mbahet në kryeqendrën shqiptare është “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.