Presidentja Osmani kërkon mbështetje nga Franca për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur një delegacion të deputetëve të Asamblesë Kombëtare të Francës, ku ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ajo theksoi se ky anëtarësim është thelbësor për mbrojtjen e lirive themelore dhe për rritjen e standardeve demokratike në vend.
Në takimin me delegacionin francez, Presidentja Osmani ka diskutuar gjithashtu për procesin e dialogut me Serbinë dhe sfidat e sigurisë në rajon.
Ajo theksoi tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës dhe rajonit, duke përmendur sulmin në Banjskë, sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe mbështetjen e Beogradit për grupet terroriste që veprojnë në Kosovë.
Osmani theksoi gjithashtu se Serbia ka mungesë vullneti për të zbatuar marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, duke e konsideruar këtë një pengesë të madhe për përparimin e procesit dhe për stabilitetin në rajon.
“Duke folur për sfidat e sigurisë në rajon, Presidentja Osmani vuri theksin në tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe të gjithë rajonit. Ajo theksoi se këto tendenca të Serbisë janë të qëllimshme dhe të koordinuara, duke përmendur sulmin e agresionit në Banjskë, sulmet dhe plagosjen e ushtarëve të KFOR-it nga bandat serbe, si dhe sulmet e vazhdueshme terroriste të dirigjuara dhe mbështetura nga Beogradi.
Në kontekstin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani potencoi mungesën e vullnetit të Serbisë për zbatim të marrëveshjeve të arritura, duke e konsideruar këtë si një pengesë serioze për përparimin e dialogut dhe për stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidentja e Kosovës përfundoi duke shtuar se vendi do të vazhdojë të mbështesë vlerat euroatlantike dhe të punojë me partnerët ndërkombëtarë për një të ardhme të qëndrueshme për qytetarët e saj.