Presidentja Osmani takon familjarët e viktimave të Masakrës së Poklekut: Drejtësia duhet të vijë për çdo viktimë

Në përvjetorin e 26 – të të Masakrës së Poklekut, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti familjarët e viktimave për të nderuar kujtimin e tyre dhe për të diskutuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës dhe kërkimit të drejtësisë.
Në këtë takim, Osmani theksoi se masakra, ku humbën jetën 54 qytetarë nga regjimi gjenocidal i Serbisë, është një plagë e hapur për shoqërinë dhe një kujtesë që kërkon angazhim të vazhdueshëm për drejtësi.
Ajo nënvizoi se është e domosdoshme që autorët e këtyre krimeve të përballen me drejtësinë, dhe kjo kërkesë duhet të jetë gjithmonë e pranishme në forumet ndërkombëtare.
Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e saj të palëkundur për të mos lejuar që këto krime të shuhen nga kujtesa dhe për të vazhduar luftën për drejtësi, si një nderim i përhershëm për viktimat dhe një hap për një të ardhme të sigurt për vendin.
Postimi i plotë:
“Presidentja Osmani priti në takim familjarë të viktimave të Masakrës së Poklekut
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në përvjetorin e 26-të të Masakrës së Poklekut, priti në takim familjarët e viktimave, me të cilët bashkëbisedoi për rëndësinë e kujtesës për të gjitha viktimat dhe domosdoshmërinë e kërkimit të drejtësisë.
Në takim, Presidentja Osmani theksoi se Masakra e Poklekut, ku u vranë 54 qytetarë nga regjimi gjenocidal i Serbisë, mbetet plagë e hapur për shoqërinë tonë dhe kujtesë e përhershme që kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional për t’i sjellur autorët para drejtësisë.
Presidentja Osmani nënvizoi se drejtësia për viktimat është obligim i vazhdueshëm dhe se kërkesa për drejtësi është ngritur në çdo forum ndërkombëtar.
Presidentja, po ashtu, ritheksoi përkushtimin e saj për të mos lejuar që këto krime të harrohen dhe për të vazhduar luftën për drejtësi, në nderim të kujtimit të viktimave dhe për të ardhmen e Kosovës”, thuhet në njoftim.