Qeveria gjermane ia vazhdon mandatin Bundeswehrit në Kosovë

Qeveria gjermane ka vendosur të zgjasë mandatin e disa misioneve të Bundeswehrit jashtë vendit.
Në mesin e tyre është edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, sikurse edhe ai i BE-së Eufor Althea në Bosnjë-Hercegovinë.
E që ky vendim të hyjë në fuqi, duhet të votohet në Bundestag.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius tha se Berlini po vuloste angazhimin e saj të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, raporton gazeta gjermane “Zeit”.
Bundeswehri ka qenë i pranishëm në Kosovë që nga viti 1999 si pjesë e misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, ndërsa kufiri i numrit të trupave gjermane në Kosovë mbetet në 400.
“Situata e sigurisë në vend është e brishtë”, tha Kornelius. Në vitin 2023, kontingjenti gjerman u përforcua përkohësisht për shkak të situatës. Një Kosovë e qëndrueshme “është me rëndësi thelbësore për Gjermaninë dhe të gjithë Evropën”.
“Zeit” shkruan se edhe pse mandati për misionin e KFOR-it është në parim i pacaktuar, ai i paraqitet gjithashtu parlamentit për vendimmarrje çdo vit.