Ramush Haradinaj nderon në Gllogjan dhe Kodrali sakrificën e Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj”

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë sot në ceremonitë përkujtimore të mbajtura në Gllogjan dhe Kodrali të Deçanit, me rastin e 26-vjetorit të rënies heroike të pjesëtarëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj”.
Haradinaj ka vlerësuar lartë kontributin dhe sakrificën e këtij batalioni të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ishin ndër njësitë më të dalluara në zonën e Dukagjinit, nën komandën e Abdyl Mushkolajt.
Postimi i plotë:
Në Gllogjan dhe Kodrali të Deçanit nderuam heroizmin e Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” dhe kujtuam sakrificën e 24 majit 1999. Udhëhequr nga komandanti Abdyl Mushkolaj, ata ishin ndër luftëtarët më të dalluar të UÇK-së në Dukagjin, trimërinë e të cilëve e njoha në frontet e luftës. Ata ishin ndër djemtë më të zotë të këtij kombi, që u bënë mburojë për vëllezërit e tyre prej arme të plagosur në beteja.
Krenohemi me gardistët, me betejat, trimërinë dhe guximin e tyre. Kujtojmë gjithmonë të rënët, që me flijimin dhe vetëmohimin e tyre ndriçuan rrugën tonë drejt lirisë: Arton Mehmetaj, Fehmi Demiqi, Hajrush Demaj, Hysen Mehmeti, Islam Krasniqi, Liman Morina, Metë Krasniqi, Nuredin Gërvalla, Nazmi Gradina, Nimon Musaj, Naim Berisha, Përparim Ferizi, Sali Ferizi, Valiant Ferizi, Përparim Shala dhe Xhavit Islami.
Kujtimi dhe nderimi për ta është i përjetshëm.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të lirisë!






