Lajme

Reagon Shoqata e Mullistëve: Shtrenjtimi i rrymës do të duhej ta shtrenjtonte bukën veç 2%

Pas vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16.1%, qytetarët e Kosovës po përballen me një tjetër goditje në buxhetin e përditshëm.

Çmimi i bukës në Prishtinë është shtrenjtuar nga 50 cent për 60 cent, në qytete tjera të Kosovës raportohet se çmimi i një buke ka shkuar në 70 apo 80 cent, ndërsa një kafe e zakonshme në disa lokale të kryeqytetit nga 1 euro e 20 cent tani kushton deri në 2 euro.

Kjo situatë po vlerësohet si barrë e rëndë ekonomike për konsumatorët dhe shqetësim për këta të fundit.

Njohësit e çështjeve ekonomike, nuk janë pajtuar me rritjen e çmimit të bukës duke i cilësuar si enorme dhe çmime të paarsyeshme.

Kreu i Mullistëve: Rritja e çmimit të bukës është për luks, jo për kosto reale

Kryetari i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu, ka reaguar ashpër ndaj shtrenjtimit të bukës pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 16.1%.

Sipas tij, rritja nuk ka asnjë bazë reale dhe është bërë për përfitime luksi.

Ai sqaroi se ndikimi i rrymës në çmimin e bukës është minimal, vetëm rreth 2%.

Tutje, ka shpjeguar edhe deri në sa euro mund të shtrenjtohet çmimi i miellit.

“Veç për luks ka ndodh kjo rritje. Pse ka budalla blerës, asnjë arsye s’ka. Buka shkaku i rrymës është dashur për 2% të shtrenjtohet, kaq është pjesëmarrja e energjisë elektrike në pjesëmarrjen e bukës. Në industrinë tonë mielli rritet gjysmë deri në një cent për kilogram, apo 10 euro për një 10 ton miell. Prej 33 cent që është kilogrami i miellit, do të bëhet 34 cent më së shumti. Për një mijë kilogram 1 euro, për 10 mijë kilogram 10 euro”, u shpreh ai.

Kaçaniku nga “Konsumatori”: Rritja e çmimeve është abuzive

Selatin Kaçaniku nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit ka folur lidhur me shtrenjtimin e çmimeve pas paralajmërimit për rritje të tarifave të energjisë elektrike.

Sipas Kaçanikut, vendimi i ZRRE-së për rritjen e çmimit të rrymës ende nuk është i zbatueshëm, pasi është në shqyrtim gjyqësor, por pavarësisht kësaj, çmimet kanë nisur të rriten.

Kaçaniku thotë se me këtë rritje të çmimeve po abuzohet.

“Ndikimi është jashtëzakonisht i madh duke parë ngritjen enorme dhe të paarsyeshëm. Vendimi i ZRRE-së nuk është i zbatueshëm akoma se është në shqyrtim e sipër në Gjykatë dhe s’ka asgjë të sigurt në anenë tjetër disa çmime kanë filluar të shtrenjtohen nga momenti që është paralajmëruar rritja më shumë kemi të bëjmë me çmime abuzive se sa rritje reale”, deklaroi Kaçaniku.

Profesori i ekonomisë: Bizneset po e shfrytëzojnë rritjen e çmimit të rrymës për shtrenjtimin e produkteve

Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka vlerësuar se vendimi i ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16.1% ka shkaktuar një efekt zinxhir në ekonominë vendore, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve.

Sipas tij, bizneset me konsum të lartë energjie, si furrat dhe lokalet, kanë rritur menjëherë çmimet për shkak të shtimit të kostove operative.

“Pas vendimit të ZRRE për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 16.1%, shumë biznese, veçanërisht ato me konsum të lartë energjie si furrat dhe lokalet, kanë ndjekur menjëherë rritjen e çmimeve të produkteve të tyre. Tek bizneset është rritja e kostove operative duke reflektuar në shtrenjtimin e rrymës rrit kostot e prodhimit dhe funksionimit të bizneseve, veçanërisht në sektorët e ushqimit dhe shërbimeve”, u shpreh ai.

Ai thotë se përveç ndikimit direkt, tregu po përballet edhe me spekulime, ku disa biznese e përdorin këtë rritje për të justifikuar ngritje më të mëdha të çmimeve.

“Reagimi i tregut dhe spekulimet, bizneset përdorin rritjen e kostove për të justifikuar rritje më të mëdha çmimesh, duke parashikuar edhe efekte indirekte të uljes së fuqisë blerëse dhe inflacionit në sektorë të tjerë”, deklaroi Misini.

Misini paralajmëroi se rritja e çmimeve do të vazhdojë edhe në muajt në vijim, me pasoja të mëdha për fuqinë blerëse.

“Sipas analizave statistikore ekonomike, 16% përfaqëson vetëm ndikimin direkt, ndërsa efektet indirekte mund të jenë edhe më të mëdha, duke shkaktuar rritje edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera. Rritja e çmimeve do të vazhdon me rritje për muajt në vazhdim gjate këtij viti”, përfundoi profesori Misini.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button