Rusia forcon bazat pranë Finlandës, ushtria finlandeze në gatishmëri të lartë

Kreu i forcave mbrojtëse finlandeze, Gjeneralmajor Sami Nurmi, ka deklaruar se ushtria po ndjek shumë nga afër manovrat ushtarake të Moskës pranë kufirit të Finlandës. Ai tha se është detyra e tyre si pjesë e NATO-s të përgatiten për çdo skenar të mundshëm, ndërsa pret që Rusia të shtojë trupat përgjatë kufirit pas përfundimit të luftës në Ukrainë.
Finlanda ka përfunduar 35 kilometra të parë të një gardhi kufitar prej 200 kilometrash, i cili përfshin kamera dhe sensorë për të kontrolluar kalimet në kufirin lindor me Rusinë. Imazhet satelitore tregojnë se Rusia po zgjeron infrastrukturën ushtarake pranë këtij kufiri, me ndërtim tendash, automjete ushtarake dhe baza helikopterësh.
Nurmi theksoi se ndryshimet në strukturat ushtarake janë “të moderuara”, por po përgatiten si për dërgimin e trupave në Ukrainë, ashtu edhe për forcimin e pranisë ushtarake pranë Finlandës. Megjithatë, ai sqaroi se aktualisht nuk ka një kërcënim të menjëhershëm ushtarak ndaj Finlandës apo NATO-s nga ky drejtim.
Duke komentuar situatën, presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk është i shqetësuar dhe se Finlanda dhe Norvegjia do të jenë “shumë të sigurta”.