Sala Jashari për Operacionin “Shigjeta”: Shënoi goditjen përfundimtare ndaj makinerisë serbe

Sala Jashari për Operacionin “Shigjeta”: Shënoi goditjen përfundimtare ndaj makinerisë serbe
Deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, Sala Jashari ka njoftuar se ka marrë pjesë në përkujtimin e Operacionit “Shigjeta”.
Jashari u shpreh se ky operacion ishte një shpërthim i dinjitetit tonë kombëtar, i cili siç u shpreh ajo, shënoi goditjen përfundimtare ndaj makinerisë serbe.
“Sot isha e pranishme në përkujtimin e një prej operacioneve më madhore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Operacionit “Shigjeta”. Ky operacion ishte një shpërthim i dinjitetit tonë kombëtar, i cili shënoi goditjen përfundimtare ndaj makinerisë serbe, duke e çuar Kosovën drejt çlirimit përfundimtar”.
“U hartua dhe u zbatua me guxim dhe mençuri nga komandantët dhe luftëtarët tanë trima, me mbështetjen e madhe të Shqipërisë dhe pjesëmarrjen heroike të diasporës – Batalionit “Atlantiku”.
“Falë largpamësisë së UÇK-së dhe përkushtimit të saj, NATO-ja, e udhëhequr nga SHBA-ja, u bë aleate në këtë betejë për liri, duke qëndruar krahas UÇK-së – njëra nga qielli, tjetra nga toka – deri në fitoren e 12 qershorit 1999! Lavdia e UÇK-së është histori që duhet shkruar me respekt dhe studiuar me kujdes – në libra, në akademi, dhe në ndërgjegjen tonë kolektive”, shkroi tutje Jashari.