Botë

Shtyhet tarifa amerikane ndaj BE-së – Trump i jep kohë negociatave pas telefonatës me Von der Leyen

Administrata amerikane ka njoftuar shtyrjen e zbatimit të tarifës 50 për qind ndaj produkteve të Bashkimit Evropian, duke e zhvendosur nga 1 qershori në 9 korrik. Vendimi u mor pas një bisede telefonike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Trump tha se telefonata kishte qenë “shumë e mirë” dhe se shtyrja e tarifës do t’i jepte kohë të mjaftueshme dy palëve për të negociuar një marrëveshje të re tregtare. Ai kishte kërcënuar më herët këtë muaj me vendosjen e taksës mbi të gjitha importet evropiane, duke e akuzuar BE-në se “është formuar për të përfituar nga SHBA-të” dhe duke e quajtur një “partner të vështirë”.

Duke reaguar pas njoftimit, Ursula von der Leyen shkroi në platformën “X” se BE dhe SHBA ndajnë “marrëdhënien tregtare më të ngushtë dhe më funksionale në botë” dhe theksoi gatishmërinë e bllokut për të përshpejtuar bisedimet.

Edhe komisioneri evropian për Tregtinë dhe Sigurinë Ekonomike, Maroš Šefčovič, ka deklaruar se BE-ja është e angazhuar për një marrëveshje të drejtë, të bazuar në respekt të ndërsjellë dhe jo në kërcënime.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button