Si u bë që Enver Sekiraqa të jetë viktimë në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë?

Emri i Enver Sekiraqës sërish u rikthye në vëmendjen e opinionit në Kosovë.
Pas arratisjes së tij nga burgu si i dënuar për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, tash Sekiraqa po përmendet në Gjykatën Speciale të Hagës.
Në seancën e fundit të Speciales, kryegjqytari Charles Smith, pranoi disa prova që ndërlidhen me Sekiraqën.
Në këtë seancë, është bërë e ditur se Enver Sekiraqa ka statusin e viktimës në rastin e krerëve të UÇK-së.
“Sa i takon vlerës provuese, trupi gjykues vëren se ndonëse saktësia e këtij informacioni që gjendet në artikuj, nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, sidoqoftë, tre artikujt kanë data të ndryshme, vijnë nga burime të ndryshme mediatike, citojnë burime të ndryshme dhe sugjerojnë se viktima e pretenduar është dënuar për vepra të rënda penale në Kosovë dhe është arratisur nga Kosova. Trupi gjykues konstaton se ndonëse dokumentet relevancën e kanë shumë të vogël, kanë një lloj vlere provuese e cila mjafton për të përmbushur standardin prima facie”, tha Smith.
Për herën e parë, emri i Sekiraqës ishte përmendur nga komandanti i zonës së Llapit, Rrustem Mustafa.
Kur dëshmoi në Hagë, Mustafa e konfirmoi se Sekiraqa kishte qenë i ndaluar.
Si rezultat, bazuar në këtë fakt, del se edhe Sekiraqa ka fituar statusin e viktimës.
Megjithatë, Remi nuk ishte i vetmi që foli për këtë rast.
Për këtë rast u pyet në dëshminë e tij edhe Nuredin Ibishi. ‘Leka’ deklaroi se bazuar në informacionet që ka, Sekiraqa është arratisur.
“Aq sa kam informacione para se të vije këtu, ai është arratisur”, tha Ibishi.
Gjatë pyetjeve nga avokatja e Jakup Krasniqit, ajo e ballafaqoi me disa raportime për të kaluarën e dyshimtë të Sekiraqës.
“Sipas një artikulli të Irish News, Sekiraqa konsiderohej figura kryesore e krimit që jetonte në Irlandë dhe ishte në listën e Interpolit. Aty thuhet se ishte dënuar me 26 vjet burg”, pyeti avokatja Shyamala.
Ibishi nuk pranoi të përgjigjet në detaje, duke thënë se ai e di vetëm që Sekiraqa ka qenë i kërkuar. Megjithatë, situata e krijuar në gjykatore, nxiti shumë dilema. Pasi avokatja e Jakup Krasniqit kërkoi që këta artikuj të pranohen si prova në proces. Këtu reagoi gjyqtari Metro.
“Përpara se ta bëjmë këtë gjë, cili është synimi për këtë? A po na thoni që Enver Sekiraqa është një person i keq dhe nuk duhet të besojmë asgjë që ka thënë ai për parandalimin e tij, burgosjen e tij e të gjitha këto gjëra?”, pyeti gjyqtari. Pra, gjyqtari zviceran aludon se Enver Sekiraqa ka dhënë deklaratë për parandalimin e tij në kohën e luftës. Një deklaratë që ka nxitur shumë dilema, por që nuk ishte e vetmja.
Prokurorja e rastit reagoi duke lënë të kuptohet se mbrojtja e ka pasur rastin të diskutojë me dëshmitarin për çështjen e besueshmërisë. Pra, ka aluduar se avokatët e kanë pasur rastin të diskutojnë me Enver Sekiraqën për këtë temë.
“Të nderuar unë kundërshtoj për bazën e kësaj kërkese që bëhet sepse avokati e ka diskutuar me dëshmitarin dhe ka folur për çështjes e besueshmërisë për sa i përket këtij dëshmitari, dhe ai ka folur për këto gjëra. Kështu që nuk e shikojmë pse janë të dobishme për gjykatën këto dokumente”, u përgjigj prokurorja.
Në konferencën për media të kryetares së Gjykatës Speciale, gazeta e pyeti Ekaterina Trëndafilovën për këtë temë. Megjithatë, kjo e fundit tha se është hera e parë që e dëgjon emrin e Enver Sekiraqës, pavarësisht se ky i fundit ishte diskutuar disa herë në seancë publike.
“Për herë të parë e dëgjoj emrin e këtij personi dhe nuk ka asgjë këtu. Kështu që nuk pata kohë të pyes ndonjë nga kolegët e mi më të rinj, ekipin, të gjej diçka më shumë. Por për këtë periudhë, nuk ka asgjë në dosje, sepse unë i marr të gjitha dosjet, dhe nëse nuk kam kohë për të lexuar, gjatë fundjavës do të ndjek gjithçka”, përfundoi Trendafilova.
Më 3 maj 2024, Sekiraqa u dënua nga shkalla e parë me 25 vite burgim. Gjyqtari i rastit në atë seancë, do t’ia hiqte masën e arrestit shtëpiak Sekiraqës, në mënyrë që ky i fundit të mbrohet në liri derisa vendimi ta merrte formën e prerë.
E këtë, e shfrytëzoi Sekiraqa. I njëjti u arratis nga drejtësia, dhe për të cilin ende nuk ka as edhe një informacion.
Kjo i kushtoi me suspendim gjyqtarit të kësaj çështje, Agim Kuçit, mirëpo që i njëjti u rikthye në punë pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Për kapjen e Enver Sekiraqës, policia kishte urdhëruar mobilizim në çdo pikë kufitare. Por, sërish, pa sukses.