Lajme

Skandal në importin e kafshëve: Mbi 1 mijë krerë zhduken nga sistemi, “Bersina” dhe “Besi Group 2024” nën hetim

Në vazhdën e hetimeve për skandalin me importin e kafshëve të gjalla në Kosovë, janë zbuluar të dhëna alarmante: mbi 1 mijë kafshë të importuara nga kompanitë “Bersina” Sh.P.K. dhe “Besi Group 2024” Sh.P.K., nga tetori 2024 deri në mars 2025, janë zhdukur nga sistemi shtetëror. Këto kafshë, që ligjërisht duhej të dërgoheshin direkt nga dogana në thertore të licencuara dhe të theren brenda 72 orëve, nuk janë gjurmuar më.

Burime brenda Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se ekziston dyshimi i bazuar se ato kanë përfunduar në tregje si kafshë të gjalla për shitje, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë ushqimore dhe shkeljen e procedurave ligjore.

Veriu.info ka siguruar vendimet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, me të cilat i është pezulluar leja për importimin e kafshëve të gjalla kompanive “Bersina” Sh.P.K. dhe “Besi Group 2024” Sh.P.K., për shkak të shkeljeve të rënda të legjislacionit në fuqi.

Më 28 mars, AUV ka marrë vendim për pezullimin e lejes së importit për kompaninë “Bersina” Sh.P.K., në pronësi të Baton Berishës, pasi gjatë një inspektimi është konstatuar se kjo kompani kishte importuar 635 krerë gedhe në periudhën janar – shkurt 2025, të cilat sipas rregulloreve duhet të thereshin brenda 72 orëve në thertore të licencuara.

Gjatë inspektimit është zbuluar se “Bersina” kishte dërguar vetëm 68 krerë për therje në thertore të palicencuara dhe të pakontraktuara, ndërsa nuk dihet se ku kanë përfunduar 585 krerët e tjerë.

Ndërkohë, kompania tjetër “Besi Group 2024” Sh.P.K., me pronar Feriz Berishën dhe seli në Mitrovicë, kishte importuar 586 krerë gedhe nga tetori 2024 deri në mars 2025, të cilat gjithashtu duhej të thereshin brenda 72 orëve. Por edhe kjo kompani nuk e ka respektuar rregulloren për importin dhe therjen e kafshëve, pasi nuk ka raportuar në sistemin e AUV-së për 452 prej tyre.

Për këtë arsye, më 10 prill 2024, drejtori ekzekutiv i AUV-së ka marrë vendim për pezullimin e lejes së importit për këtë kompani.

Mosrespektimi i rregullativës që kërkon therjen e kafshëve të importuara brenda 72 orëve shmang kontrollin veterinar dhe inspektues të AUV-së, duke hapur rrugën për therje ilegale apo shitje të kafshëve në mënyrë të parregullt. Kjo jo vetëm që përbën evazion fiskal, por paraqet rrezik serioz për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button