Spahiu: Dialogu ka përfunduar, tani mbetet vetëm zbatimi i marrëveshjes

Analisti politik Nexhmedin Spahiu, ka komentuar vizitën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, duke theksuar se nuk pret ndonjë zhvillim konkret nga kjo vizitë, përveç përgatitjeve për hapat e ardhshëm në procesin e dialogut.
‘’Nuk besoj se tani do të ketë ndonjë hap konkret për dialog përveçse përgatitjen për dialog, në fakt dialogu ka përfunduar si negocim rreth asaj rreth asaj se çfarë duhet të merret vesh Kosova dhe Serbia, sepse ato tashmë janë marre vësh dhe është negociuar se çka do të jetë statute i Asosacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe vetëm mbetet të implementohet kjo marrëveshje ‘’, ka deklaruar Spahiu.
Sipas Spahiut, çështja kryesore tani është që të ndodhin hapa konkretë dhe të barabartë nga të dyja palët.
“Duhet të ndodhin misione të përhershme diplomatike të Kosovës në Serbi dhe të Serbisë në Kosovë, që nënkupton një njohje në heshtje nga Serbia. Në këmbim, të realizohet një autonomi më e thellë për serbët në Kosovë përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe’’, deklaroi Spahiu.
Në fund, Spahiu e përjashton mundësinë që vizita e emisarit Sorensen të jetë e lidhur me krizën politike në Kosovë.
“Nuk besoj se vizita lidhet me situatën aktuale, sepse shtetet kryesore sponsorizuese të pavarësisë së Kosovës kanë vendosur të mos përzihen në mënyrën se si do të formohet qeveria’’, përfundoi Spahiu.