Botë

Steinmeier në selinë e NATO-s: Gjermania do të bëhet shtylla kurrizore e mbrojtjes së Evropës

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier ka deklaruar të hënën se Gjermania është e gatshme të marrë një rol kyç në mbrojtjen e Evropës, në një kohë kur aleanca e NATO-s po përballet me sfida të paprecedenta në dekadat e fundit.

Duke folur në një ceremoni zyrtare në selinë e NATO-s në Bruksel, me rastin e përvjetorit të anëtarësimit të Gjermanisë në aleancë, Steinmeier theksoi se Berlini ka kuptuar mesazhin e qartë nga aleatët dhe është i përkushtuar të rrisë kontributin e tij në mbrojtjen kolektive.

“Ne e morëm mesazhin, ju mund të mbështeteni tek ne… Ne do të përpiqemi ta bëjmë Gjermaninë, si ushtrinë dhe infrastrukturën e saj, shtyllën kurrizore të mbrojtjes konvencionale në Evropë,” tha Steinmeier, duke iu referuar zhvillimeve gjeopolitike që kanë tronditur ekuilibrin e sigurisë në kontinent.

Presidenti gjerman përmendi sfidat aktuale si lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës dhe presionet në rritje nga Shtetet e Bashkuara për më shumë angazhim evropian, duke nënvizuar se Gjermania është në një “pozicion vendimtar”.

Në këtë drejtim, Gjermania ka miratuar së fundmi një plan fiskal ambicioz që përfshin një fond prej 500 miliardë eurosh për infrastrukturën dhe forcimin e mbrojtjes.

Fondi i ri, i cili del jashtë rregullave të zakonshme të huamarrjes, do të mundësojë rritje të ndjeshme të kapaciteteve ushtarake gjermane, në një kohë kur Evropa po kërkon më shumë pavarësi në fushën e sigurisë.

Rritja e buxhetit të mbrojtjes vjen në prag të ndërrimit të udhëheqjes politike, pasi Friedrich Merz pritet të marrë detyrën e kancelarit në maj, duke zëvendësuar Olaf Scholz-in.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button