Sveçla: Policia e gatshme t’i mbrojë qytetarët nga çdo element destabilizues që rrezikon sigurinë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Policia e Kosovës është e gatshme t’i mbrojë qytetarët nga çdo element destabilizues që rrezikon sigurinë e vendit.
Kështu është shprehur në ceremoninë solemne ku u ndanë certifikatat për pjesëmarrësit në trajnimin e specializuar “Mbrojtja e VIP-ve”, i zhvilluar në kampin e Njësive Speciale “Vrella” në Sllatinë.
“Në çdo cep të Republikës sonë, shërbejnë me profesionalizëm falë trajnimeve të vazhdueshme që janë realizuar që nga themelimi i saj,” shtoi ai, duke falënderuar edhe mbështetjen e Turqisë. I dëshmuar në këtë rast, ky kontribut i vazhdueshëm dhe i parezervë i Republikës së Turqisë ka mundësuar që ky sukses të përcillet në gjeneratat tona. Policia jonë e ka dëshmuar zbatimin e mandatit të saj dhe që është e gatshme të mbrojë qytetarët dhe çdo element destabilizues që rrezikon sigurinë tonë”, ka thënë Sveçla, raportoi EO.
Trajnimi, i cili pati për qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale në mbrojtjen e figurave të rëndësishme, është realizuar në bashkëpunim ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Turqisë.
Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, vuri në pah karakterin e veçantë të marrëdhënies mes dy shteteve, duke e përshkruar Kosovën jo vetëm si partner, por si “vëlla” të Turqisë.
Ai theksoi se mbështetja turke për shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës do të jetë e pandërprerë, sidomos përmes forcimit të kapaciteteve të saj të sigurisë.
“Ne Kosovën nuk e konsiderojmë si një vend mik dhe partner, por e shohim si vëlla. Prandaj edhe dita që shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një ngjarje e rëndësishme por kjo ngjarje zë vend të madh edhe te vendi turk. Në këtë aspekt Turqia do të jetë gjithmonë pranë Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin e saj, për ta ndërtuar shtetësinë e saj dhe në këtë aspekt institucionet e sigurisë janë shumë të rëndësishme. E falënderoj policinë e Turqisë që ka mbështetur policinë e Kosovës”, ka thënë ai.
Ndërkohë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i dha fokus profesionalizmit të njësisë së trajnuar dhe sigurisë që ata kanë garantuar ndër vite në mbrojtjen e figurave të rëndësishme.
Ai theksoi se pa partneritetin me institucionet ndërkombëtare, sukseset e tilla nuk do të ishin të arritshme në të njëjtën masë.
“Është një njësi që e ka dëshmuar veten. Eprorët dhe operatorët e kësaj njësie janë jashtëzakonisht profesionalë dhe kjo është dëshmuar që asnjë rast që personat që i kemi pasur në mbrojtje, që nga zyrtarët tanë e deri ata ndërkombëtarë, nuk kanë pësuar ndonjë incident gjatë përcjelljes sonë. Që do të thotë që kemi njësi të përgatitur, të pajisur dhe mjaft të disiplinuar”, ka thënë ai.