Botë

Takimi i parë Carney-Trump shënohet me tensione, por edhe sinjale për partneritet

Kryeministri kanadez Mark Carney zhvilloi takimin e tij të parë zyrtar në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin amerikan Donald Trump, në një atmosferë të tensionuar politike që u karakterizua nga deklarata të forta dhe diskutime për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Presidenti Trump, në një postim në platformën e tij Truth Social, shprehu pritshmëritë për takimin me Carney, por njëkohësisht theksoi se “SHBA-të nuk kanë nevojë për asgjë nga Kanadaja”. Përpara vizitës, Carney kishte paralajmëruar një qëndrim të vendosur kundrejt presionit të Trump, duke iu referuar tarifave të vendosura ndaj eksporteve kanadeze dhe deklaratave provokuese për shndërrimin e Kanadasë në “shtetin e 51-të të SHBA-së”.

Por, gjatë konferencës për media pas takimit, Trump u përpoq të zbusë tonin duke theksuar respektin e tij për popullin kanadez dhe lidhjet personale që ka me vendin, përmes nënës së tij me origjinë nga Kanadaja. Ai e cilësoi Kanadanë si “një vend shumë të veçantë” dhe përsëriti idenë e tij për bashkim duke pretenduar se kjo do të sillte “ushtri të lirë” dhe “ulje masive të taksave për qytetarët kanadezë”.

Në përgjigje, Carney u shpreh prerazi se “disa vende nuk janë kurrë në shitje”, duke vënë në pah vendosmërinë e kanadezëve dhe refuzimin e çdo ideje për aneksim. Megjithatë, ai la të hapur mundësinë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe strategjik mes dy aleatëve të ngushtë.

Në përfundim të takimit, Presidenti Trump vlerësoi rritjen e angazhimit të Kanadasë në NATO dhe investimet në mbrojtje, duke e cilësuar këtë si një hap pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button