Të shtëna me armë jashtë gjykatës ku po gjykohet vrasësi i boksierit Nimani, raportohet për tre të plagosur

Mediat gjermane raportojnë se tre persona janë plagosur jashtë gjykatës në qytetin e Bielefeldit në Gjermani, ku u mbajt seanca gjyqësore për vrasjen e boksierit kosovar Besar Nimani në vitin 2024. I akuzuari që po gjykohet është Hyseyin Akkurt.
Të shtënat nisën rreth orës 13:30 me kohë lokale, pas përfundimit të seancës të së mërkurën. Raportohet se tre plumba u shkrepën 150 metra larg gjykatës.
Gazeta gjermane “Bild” raporton se të paktën dy pjesëtarë të familjes së të akuzuarit u qëlluan – vëllai dhe babai – njëri prej tyre u plagos në këmbë e tjetri në gjoks dhe është në gjendje të rëndë. Ndërkohë gazeta “Neue Westfalische” raporton për të paktën tre të plagosur.
Raportohet se një nga të dyshuarit për sulmin e të mërkurës është arrestuar, ndërsa një tjetër është barrikaduar.
Akkurt u arrestua në qershor të vitit të kaluar në Bruksel. Dyshohet se së bashku me Aymand Dawoud Kirit (33), që është në arrati, e vranë Nimanin në Bielefeld. Ata kishin shkrepur 16 plumba në drejtim të boksierit kosovar që vdiq në vendin e ngjarjes.