Tentativë për hyrje me identitet të rremë? Vuçiq përballet me kritika pas vizitës në SHBA

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është përfshirë në një incident diplomatik gjatë një vizite të tij në SHBA, ku sipas një dëshmie të publikuar nga organizata “Serbët për Trump 2024”, ai ka tentuar të marrë pjesë në një darkë donatorësh të kandidatit republikan për guvernator të Floridas, duke përdorur një emër të rremë.
Aleksandar Joviçiq, serbo-amerikan dhe anëtar i kësaj organizate, ka pohuar se Vuçiq është kapur në përpjekje për të hyrë në eventin e mbajtur në Byron (Florida), duke anashkaluar protokollet dhe rregullat e sigurisë. Reagimet nuk kanë munguar, sidomos nga brenda vetë Serbisë.
Lëvizja për Ringjalljen e Mbretërisë së Serbisë, përmes kryetarit të saj, Vojislav Mihailoviq, e ka quajtur incidentin një dështim diplomatik:
“Kapur duke u përpjekur të hyjë me emër të rremë Aleks Vuçi në Konventën e Bajronit, presidenti i Serbisë është kapur në shkelje të ligjit dhe me mirësjellje është lutur të largohet nga SHBA”, tha Mihailoviq për gazetën Danas.
Ai shtoi se ky veprim ka dëmtuar rëndë imazhin e Serbisë në diasporë dhe në sytë e ndërkombëtarëve.
“Na ka turpëruar para serbëve në SHBA dhe në mbarë botën. Për më tepër, i ka shkaktuar dëm të madh serbëve në SHBA, falë të cilëve Serbia mësoi të vërtetën. U mësua edhe që Trump e mban mend mirë financimin që Vuçiq i bëri fushatës së Hillary Clinton dhe se me të në krye, Serbia nuk ka ç’të shpresojë për mirë kur është fjala për marrëdhëniet me këtë vend. Me keqpërdorimin e VMA-së dhe mediave serbe për ta mashtruar të gjithë popullin e Serbisë jemi mësuar prej tij, dhe askush nuk e besoi atë shfaqje”, tha Mihailoviq.
Pas ngjarjes, Vuçiq është kthyer papritur në Serbi. Sipas raportimeve zyrtare, largimi i tij u justifikua me arsye shëndetësore, por deklaratat publike dhe reagimet politike sugjerojnë një prapavijë krejt tjetër për kthimin e menjëhershëm.