Tri ‘lutjet’ e Kurtit për Abdixhikun

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka kthyer LDK-në dhe Lumir Abdixhikun, në lokacion të shpeshtë për të dërguar ftesa.
Që nga përfundimi i zgjedhjeve, dhe nisja e procedurave për konstituimin e Kuvendit, tri janë letrat që Kurti i dërgoi në LDK.
Të parën ia dërgoi Abdixhikut për t’u konsultuar për Kuvendin, të dytën ia dërgoi Abdixhikut dhe Memli Krasniqit për temën e njëjtë, dhe në të tretën, Kurti u lëshua totalisht me lutje për marrëveshje.
Ftesa 1
Më 7 prill, arriti letra e parë për Lumir Abdixhikun.
Aty, edhe pse jo drejtpërdrejt, Kurti e ftonte Abdixhikun për t’u konsultuar për formimin e institucioneve.
“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhej ndër tjerash në letrën që Kurti ia ka dërguar Abdixhikut.
Por, përgjigja e Abdixhikut, ishte e qartë, por edhe e gjatë. Në një postim në rrjete sociale, kryetari i LDK-së e bëri të qartë se nuk bashkëpunon me Albin Kurtin.
“Duket se fjalët e thëna e bindjet e ushqyera në vijimësi, nuk kanë peshë njëjtë për të gjithë. Sepse, pavarësisht të gjithë gjërave të thëna, të bëra e stërbëra, dje kam pranuar një letër nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, për takim konsultativ mes nesh. Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik. Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë”, deklaronte Abdixhiku.
Ftesa 2
Pas një serie të gjatë dështimesh në Kuvend për të siguruar votat për Albulena Haxhiun, Kurti ndërmori veprimin tjetër.
Kësaj radhe, nuk e ftoi vetëm Abdixhikun, por edhe Memli Krasniqin.
Kryetari i LDK-së refuzoi ftesën edhe kësaj radhe, e ai i PDK-së shkoi në takim.
Rezultati ishte i njëjtë për të dyja palët. Dështim.
Me të nisur seanca, menjëherë pas takimit Kurti-Krasniqi, VV-ja propozoi votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit, çka nisi një reagim të madh në rrjete sociale.
Ftesa 3
E në ditën kur dështoi sërish tentative për votim të fshehtë, Kurti nisi një tjetër letër në drejtim të Abdixhikut.
Aty, duke u lutur, ia kërkoi kryetarit të LDK-së marrëveshjen politike, dhe bashkëpunimin.
Si asnjëherë më parë, Kurti hapi letrat, duke theksuar se edhe pas zgjedhjeve të reja, sërish koalicioni mund të jetë LDK-VV.
“Në sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”, thuhet tutje në letër.
Në letër Kurti ka thënë se LDK-ja njihet si parti që nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse
“Mospajtimet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa te tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe”, ka shkruar Kurti.
Kurti tutje ka shkruar që është i bindur se edhe votuesit e të dyja partive preferojnë një koalicion të tillë.
“Jam i bindur që edhe votuesit e LDK-së e sot preferojnë më së shumti koalicionin me LVV-në. Edhe votuesit e LVV-së e preferojnë po ashtu me së shumti koalicionin me LDK-në, pse të mos e bëjmë?”, ka pyetur Kurti.