Trump fajëson Kinën për COVID-19: Virusi doli nga laboratori, jo nga natyra

Shtëpia e Bardhë e presidentit republikan të SHBA-së, Donald Trump ka lansuar një faqe interneti për COVID-19, në të cilën fajësoi origjinën e virusit në një rrjedhje laboratori në Kinë, ndërsa kritikonte ish-presidentin demokrat Joe Biden, ish-zyrtarin e lartë të shëndetësisë në SHBA, Anthony Fauci dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Bëhet e ditur se uebfaqja ishte gjithashtu kritike ndaj hapave si distancimi social, maskat dhe bllokimet.
Trump filloi një proces 12-mujor të tërheqjes së SHBA-së – deri tani mbështetësi më i madh financiar i OBSH-së – nga agjencia kur ai mori detyrën në janar, shkruan Reuters.
Menjëherë pas marrjes së detyrës, Trump tha gjithashtu se Fauci, i cili është përballur me kërcënime që kur drejtoi reagimin e vendit ndaj COVID-19, duhet të punësojë rojet e tij, e jo më të ruhet nga shteti.
Një zëdhënës i CIA-s tha se CIA ka vlerësuar se pandemia COVID-19 ka më shumë gjasa të ketë dalë nga një laborator sesa nga natyra.
CIA kishte thënë se kishte “besim të ulët” në vlerësimin e saj dhe se të dy skenarët – origjina laboratorike dhe origjina natyrore – mbeten të besueshme.
Ndërkohë, Qeveria e Kinës tha se mbështet dhe ka marrë pjesë në kërkime për të përcaktuar origjinën e COVID-19 dhe ka akuzuar Uashingtonin për politizimin e çështjes, veçanërisht për shkak të përpjekjeve të agjencive të inteligjencës amerikane për të hetuar.