Trump rikthen kërcënimin për Grenlandën: Nuk përjashtoj asgjë

Presidenti amerikan, Donald Trump, sërish ka rikthyer në skenë idenë për aneksimin e Grenlandës, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës ushtarake për ta bërë këtë territor të vetëqeverisur danez pjesë të Shteteve të Bashkuara.
“Nuk thashë se do ta bëj, por nuk përjashtoj asgjë”, deklaroi Trump në një intervistë të fundit, duke shtuar se Grenlanda i nevojitet shumë ShBA-së për sigurinë kombëtare.
Kjo deklaratë ka ngjallur reagime të ashpra, veçanërisht nga udhëheqësit lokalë të Grenlandës, të cilët kanë refuzuar kategorikisht çdo ide të tillë.
“Presidenti Trump thotë se Shtetet e Bashkuara ‘do ta marrin Grenlandën.’ Le të jem i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk do ta marrin. Ne nuk i përkasim askujt tjetër. Ne vendosim për të ardhmen tonë,” tha kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen.
Interesi i Trump për Grenlandën nuk është i ri, ai ka shprehur dëshirën për blerjen ose marrjen me forcë të saj që prej marrjes së presidencës.
Ekspertët theksojnë se arsyet që qëndrojnë pas kësaj ambicie janë të shumta si pozita strategjike gjeopolitike midis ShBA-së dhe Evropës, rrugët detare kyçe, por edhe pasuritë natyrore që bëhen më të aksesueshme për shkak të shkrirjes së akullnajave.
Grenlanda është e pasur me gaz natyror dhe metale të rralla, të nevojshme për pajisje ushtarake, turbina ere dhe automjete elektrike, çka e bën atë një objektiv të çmuar për fuqitë e mëdha.
Trump nuk është ndalur vetëm te Grenlanda, ai ka përmendur shpesh edhe Kanadanë si synim për “shtetin e 51-të”, një deklaratë që ka tensionuar marrëdhëniet me aleatin verior të Amerikës.