Trumpi me paralajmërim të ashpër për Kinën: Nuk do të jem i butë me ju

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka akuzuar Kinën për shkeljen e marrëveshjes tregtare të arritur mes dy vendeve, e cila kishte paraparë uljen e ndërsjellë të tarifave – 10% për mallrat amerikane dhe 30% për ato kineze.
Përmes një postimi në rrjetin e tij TruthSocial, Trump ka deklaruar se vetëm dy javë më parë Kina po kalonte një krizë të rëndë ekonomike, duke theksuar ndikimin e tarifave të larta amerikane.
“Para dy javësh, Kina ishte në një krizë të rëndë ekonomike! Tarifat shumë të larta që vendosa e bënë pothuajse të pamundur për Kinën të tregtojë në tregun amerikan, i cili është bindshëm tregu numër një në botë”, shkroi ai.
Sipas tij, pasojat për Kinën ishin të mëdha, duke përfshirë mbylljen e fabrikave dhe tensionet sociale.
“Shumë fabrika u mbyllën dhe kishte, për ta thënë butë, ‘pakënaqësi civile’. E pashë se çfarë po ndodhte dhe nuk më pëlqeu — për hir të tyre, jo për ne. Bëra shpejt një marrëveshje me Kinën për t’i shpëtuar nga një situatë që mendova se do të bëhej shumë e keqe. Nuk doja të shihja që kjo të ndodhte. Falë asaj marrëveshjeje, gjithçka u stabilizua shpejt dhe Kina iu kthye biznesit normal”, theksoi Trump.
Ai e përshkroi këtë si “lajm të mirë”, por njëkohësisht shprehu zhgënjimin për mosrespektimin e marrëveshjes nga pala kineze.
“Lajmi i keq është se Kina, ndoshta jo për çudi për disa, e ka shkelur plotësisht marrëveshjen me ne. Nuk do të jem më aq i butë me ta”, paralajmëroi ai.