Opinione
Vetëm zgjedhjet e reja, mund ta “shërojnë” hipokrizinë dhe servilizmin e partive politike!

Shkruan Fadil Maloku
- Zgjedhjet e reja, si zgjidhje dhe ofertë e re në kalendarin e sivjetmë të tregut tonë politik, midis tjerash përveç ngërçeve, duhet të “prodhojnë” edhe një klimë e sjellje të re politike. Ku deputetët e zgjedhur me vullnetin qytetar, s’do mund të mbeten më peng i “butonave” të liderve(pardon; dilerëve!) dhe i “disiplinës” servile partiake, por, do bëhen një zë i artikuluar dhe i denjë i qytetarisë, pra, një person që me fuqinë e gjykimit vetanak fillon të marr përgjegjësitë dhe rolin e një agjensi të ri socializues politik në shtetin e Kosovës. Krejt saga apo drama e stilit latino-amerikane, e lozur në Parlament ishte improvizim i qëllimshëm vetëm për ta fuqizuar e motivuar elektoratin, para zgjedhjeve të pa shmangëshme! Kjo “lojë” tashmë është bërë aq “transparente”, sa që edhe injoranti më i “certifikuar” për blasfemi e kurthime të tilla meskine politike, po e kupton!
- Andaj, duhet që edhe ne tani si pjesë e qytetarisë së emancipuar e intelektual të pavarur, si student e si shoqëri civile sa të mundemi ta ushtrojmë trysninë tonë publike përmes “hakmarrjes” që do materializohet përmes armës së votës së lirë, në zgjedhjet e reja, si “katarësisi” i vetëm (ashtu si kam paralajmëruar qe sa kohë) që do mbahen sivjet ose në fillim të vitit 2026. Zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme për ta krijuar atë “distancën politike” të 5/6% të nevojshëm, o për ish qeverinë mendjemadhe që lehtësisht bie (vakt e pa vakt!?) në deliriumin e vetëmjaftueshmërisë, o për opozitën egoiste që është mësuar të veproj me “suflerat” e Dragodanit!?
- Ndryshe, serish do na përcjellin ngërçet, taktizimet dhe lojërat e pista të dy palëve. Në këtë kontekst, unë në horizont shohë edhe mundësinë e shfaqjes së një lidershipi (e pse jo edhe një lideri me vizion burrështetasi tërësisht të ri që sheh përtej interesave klanore, politike e ideologjike… interesat e shteti dhe të ri kombit. Deputetët e legjislaturës së nëntë, përveç që do mbahen në mend si persona servil (ndaj liderit) do mbahen në mend edhe si hipokritë e mashtrues që me vetëdije e keqpërdorën besimin në votëb e lirë qytetare! Atyre përfundimisht me aktin e betimit që bënë sot pas tri seancave torturuese në CV-e tyre do u vuloset edhe “certifikata” e jo lojalitetit të skajshëm ndaj lirisë së mendimit, qëndrimit dhe gjykimit të lirë qytetar. Qeveria e ardhshme, s’do duhej të mbetej peng i halleve e anonimiteteve personale partiake, e as e hipokrizisë e servilitetit të deputetëve të zgjedhur, por, e drejtës dhe lirisë së plotë të votimit demokratik e patriotik…