Lajme

Vetëvendosje optimiste se do ta formojë Qeverinë

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje thanë se partia e tyre do të arrijë të formojë qeverinë. Këtë pritshmëri optimiste e shfaqën në deklaratat e tyre pas procedurës së regjistrimit si deputetë të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është shprehur e bindur se VV-ja do ta formojë qeverinë e re.

Ajo e pyetur nga gazetarët se kush do ta formojë qeverinë tha se dihet kush do ta formojë ose me datën 15 ose më vonë.

“Dihet kush do ta formojë qeverinë me 15 apo më vonë. Me votat e nevojshme”, tha Gërvalla.

E deputetja e VV-së Adriana Matoshi, gjatë procesit të regjistrimit si deputete, para mediave bëri shqiponjën me duar. Ajo tha se do të bëhet mirë për krejt.

“Ka mu bë mirë për krejt, cep me cep. Mas miri ka mu bo”, u shpreh ajo.

Edhe depueti Mefail Bajqinofci u shpreh i bindur se Qeveria Kurti III do të formohet, madje pa votat e Listës Serbe.

“Qeveria Kurti III do të formohet. Pa votat e Listës Serbe”, ka thënë ai.

Deputeti Armend Muja foli shkurt pas regjistrimit si deputet në Kuvendin e Kosovës.

Edhe deputetja Arbëresha Kryeziu- Hyseni tha se Qeveria do të formohet dhe në krye të saj do të jetë Albin Kurti.

“Të martën më 15 prill besoj që do të fillojë me konstituimin e Kuvendit e pastaj edhe me procedurat e tjera. Unë e di që kryeministër do të jetë Albin Kurti prapë dhe Qeveria Kurti 3 do të formohet. Kjo bëhet sigurisht nesë i kemi numrat. E unë besoj që i kemi”, tha Kryeziu- Hyseni.

Ditë më herë, kryeparlamentari Konjufca pati thënë se kanë nevojë për koalicion për ta formuar qeverinë.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte ftuar për takim konsultues kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Por Abdixhiku kishte refuzuar ftesën. Në përgjigje, Abdixhiku ka thënë se gjuha e LVV-së karshi LDK-së ka pamundësuar bashkëpunimin e mundshëm në mes të këtyre dy taborëve politikë, për formimin e Qeverisë së re.

Vetë Kurti në disa raste ka refuzuar të përgjigjet nëse i kanë numrat e mjaftueshëm për qeverinë e re.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk ka dhënë përgjigje nëse VV-ja i ka dërguar ftesë PDK-së për koalicion.

“Para dy ditëve kam dhënë të gjitha sqarimet”, ka thënë Haxhiu, pas regjistrimit si deputete në Kuvendin e Kosovës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button