VV-ja nuk heq dorë nga votimi i fshehtë, Murati: Kështu u zgjodh Merzi kancelar i Gjermanisë

Ministri në detyrë, Hekuran Murati që në javët e fundit është marrë me interpretime për bllokadën në Kuvend, ka komentuar dhe krahasuar propozimin e partisë së tij që kryetari i Kuvendit të zgjidhet me votim të fshehtë.
Ai shembull ka marrë Bundestagun gjerman që sot votoi Friedrich Merz për kancelar të Gjermanisë.
“ME VOTIM TË FSHEHTË, Bundestagu Gjerman sapo votoi për Kancelarin Friedrich Merz”, ka thënë Murati.
Sipas tij, votimi i fshehtë është formë demokratike për shprehje të vullnetit të lirë të deputetëve, dhe do të mundësonte zgjidhjen e ngërçit për konstituim të Kuvendit edhe tek ne.
“Bllokada që opozita po vazhdon t’ia bëjë konstituimit të Kuvendit është jashtë çdo arsyeje”, ka theksuar Murati.
“Është për t’u marrë shembull sjellja e partive gjermane, që, megjithëse votimi për Kancelar në herën e parë dështoi të prodhonte rezultat, askush nuk e bëri temë ndërrimin e kandidatit dhe askush nuk kërkoi qeveri tranzicioni”, ka thënë ai.