Zbulohet oferta e VV-së për Anton Qunin

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka rrëfyer mënyrën se si u kontaktua nga Lëvizja Vetëvendosje për të siguruar votën e tij gjatë konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Ai tregoi se në këmbim iu ofrua pozita e ministrit të Mbrojtjes.
“Kërkohet nga një qytetar i Kosovës në Britani të Madhe, përmes një bashkëluftëtari tim, një njeri shumë i afërt me mua, që të kem një bashkëbisedim pa specifikuar temën apo arsyen. E pyes për fushën, profesionin dhe interesimin. Por më tha ‘komandant’, nuk e di më shumë, e njoh dhe i besoj, thjesht kërkoi të takohet. Ai më tha se ka ndihmuar Kosovën, është qytetar i ndershëm dhe afarist. Me të vërtetë pranova, dhe në takimin e parë më krijoi një përshtypje pozitive”.
“Jo vetëm përshkrimi dhe paraqitja e tij, por edhe kultura e komunikimit ishte në nivel. Gjatë bisedës doli që LDK dhe LVV duan të përafrohen. E dëgjova deri në momentin kur tha se Z. Kurti ka shumë vlerësim të lartë për ty, dhe se ‘e ke të sigurt postin e ministrit të Mbrojtjes’. Atëherë nuk ndihesha mirë, mund të them se u ndjeva edhe i ofenduar”, tha Quni.