Lajme

Zvicra mbështet Kosovën për anëtarësim në BE, Keller-Sutter: Bota po përjeton një ristrukturim të thellë

Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, tha se vendi i saj e mbështet aspiratën e Kosovës për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian, për të cilin tha se edhe Zvicra edhe Kosova e kanë aleat.

Keller-Sutter tha se në këtë ambicie drejt BE-së, Zvicra i mbështet të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Para presidentes Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Zvicër për vizitë zyrtare, presidentja e Zvicrës përmendi që SHBA-ja është aleate e ngushtë e Kosovës dhe tha se politikat pjesërisht të nxitura nga SHBA janë sfida për shumë vende të botës.

“Ne kemi gjithashtu një marrëdhënie të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zvicra gëzon një partneritet të thellë dhe afatgjatë me SHBA-në dhe për Kosovën, SHBA-ja është një nga aleatët më të ngushtë. Ajo ofroi mbështetje të pazëvendësueshme në rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare”.

“Ndryshimet gjeopolitike të tanishme, pjesërisht të nxitura nga politika e SHBA-së, paraqesin sfida të reja për shumë vende. Bota po përjeton një ristrukturim të thellë. Nuk e dimë si do të duket balanca e re globale. Por, ajo që na nevojitet më shumë se kurrë është përkushtimi ndaj një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ndaj paqes dhe sigurisë, ndaj tregjeve të hapura dhe vlerave demokratike”.

Presidentja zvicerane tha se vendi i saj ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe tha se tani është privilegj që po e presin vizitën shtetërore të një kreu të shtetit nga Kosova.

“Kjo vizitë është një dëshmi e marrëdhënieve të ndryshme që kanë lulëzuar mes Zvicrës dhe Kosovës dhe është një mundësi për të theksuar perspektivat premtuese për shkëmbimet e vazhdueshme mes vendeve tona”.

“Para së gjithash, dua të njoh faktin se mbi 160,000 njerëz që përbëjnë diasporën e Kosovës në Zvicër kanë një rol të veçantë. Punëtorët e parë nga Kosova erdhën në vendin tonë që në vitet 1960 dhe 1970. Ata ndihmuan në rritjen ekonomike të Zvicrës në atë periudhë, duke kontribuar në industri, mikpritje dhe ndërtim”.

“Më vonë, në vitet 1990, ndodhi një valë shumë më e dhimbshme migrimi. Trazirat politike dhe në fund lufta detyruan shumë kosovarë të largoheshin nga atdheu i tyre. Gjatë atyre ditëve të errëta, Zvicra ofroi strehim dhe siguri për dhjetëra mijëra njerëz. Që atëherë, shumë nga këto familje kanë krijuar rrënjë të reja këtu dhe kanë hapur rrugë të reja për veten e tyre”.

“Sot, shumë qytetarë zviceranë të brezit të dytë dhe të tretë me prejardhje nga Kosova e quajnë Zvicrën shtëpinë e tyre. Ata janë bërë pjesë e strukturës së shoqërisë sonë. Qoftë si yje të futbollit, mësues, mekanikë, menaxherë apo politikanë – ata të gjithë kanë ndihmuar në formësimin e kombit tonë për dekada me radhë. Historitë e tyre të suksesit janë gjithashtu histori suksesi të Zvicrës”.

Keller-Sutter si shembull të lidhjeve të ngushta mes Kosovës e Zvicrës përmendi që ambasadori i Kosovës në Zvicër është në fakt zviceran.

“Historia e migrimit nga Kosova në Zvicër është një histori integrimi dhe bashkëjetese. Dhe është një histori solidariteti me ata që kërkojnë strehë”.

“Që prej më shumë se tre vjetësh, po përjetojmë përsëri luftë në Europë – në tokë europiane. Lufta e agresionit e Rusisë ndaj Ukrainës na kujton se paqja dhe vetëvendosja nuk mund të merren kurrë si të mirëqena. Ato duhet të mbrohen. Kosovarët e kuptojnë shumë mirë se çfarë do të thotë të ngrihesh për liri dhe vetëvendosje”.

Ajo tha se Zvicra qëndron fort pas ligjit ndërkombëtar dhe integritetit territorial të të gjitha shteteve – qofshin në Ukrainë apo në Kosovë.

“Vendi ynë mbetet i përkushtuar ndaj paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ne po punojmë për të forcuar strukturat demokratike dhe për të rritur besimin në sundimin e ligjit”.

Presidentja zvicerane theksoi se edhe Kosova edhe Zvicra janë të përkushtuara për mbrojtjen e pakicave dhe tha se “kjo na lidh më shumë se kurrë në këto kohë të pasigurta globalisht”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button